Darka në të bardha në Kubë: një piknik francez dhe ambient amerikan

“Të gjithë të veshur në të bardha, atmosfera, shampanja, hareja, më pëlqen shumë”.

Kay Barns nga Florida ishte vetëm një prej qindra amerikanëve që kanë marrë pjesë në mbrëmjen e parë të bardhë të Kubës, një piknik gjigant dhe shumë shik, me një frymëzim francez. Duke injoruar tensionet politike mes Havanës dhe Washington-it, pikniku u mbajt në ambientet e hotelit Nacional, godina ikone e emrave të mëdhenj si Ava Gardner, Frank Sinatra apo Marlon Brando.

“Shikoni përreth jush, shikoni sa bukur, është një det ngjyrash, një det njerëzish të kombësive të ndryshme dhe mblidhen të gjithë bashkë këtu në Kubë, çfarë simbolikë e jashtëzakonshme bashkimi! “-thotë Kay Barnes, një amerikane.

Vendi ku do të zhvillohej eventi ishte mbajtur sekret deri në minutën e fundit.

Veshjet ekstravagante, kapelet me pupla e maskat ishin me bollëk në darkën ku ishte ftuar dhe një orkestër, e ku morën pjesë rreth 500 persona, 80% e të cilëve amerikane.

“Unë besoj se ne duhet ta lëmë pas të shkuarën, duhet ta hedhim pas krahëve çdo gjë të keqe apo të shëmtuar; le të mendojmë për të ndërtuar të ardhmen e jo të jetojmë në të kaluarën”-tha Maricela Alvaro, kubane.

E parashikuar të mbahej fillimisht në fund të nëntorit 2018, “darka e bardhë” u shty për shkak të anulimit të pjesëmarrjes nga disa amerikanë në vazhdën e fjalimeve në Washington dhe ashpërsimit të embargos ndaj Kubës.